Kroaci, arrestohen tre shtetas britanikë me origjinë shqiptare për përdhunimin e një 28-vjeçareje
Tre shtetas britanikë me origjinë shqiptare janë ndaluar nga autoritetet kroate në lidhje me një rast të dyshuar përdhunimi ndaj një gruaje 28-vjeçare.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në një hotel në qytetin e Splitit, sipas raportimeve të portalit Dalmatian.
Policia lokale mori njoftimin të martën në mëngjes, pak pas orës 07:00. Njëri prej të dyshuarve u ndalua në vendngjarje, ndërsa dy të tjerët u lokalizuan dhe u arrestuan brenda një kohe të shkurtër.
Pas veprimeve hetimore paraprake, autoritetet kanë bërë të ditur se ekzistojnë dyshime të arsyeshme se të tre personat kanë qenë të përfshirë në aktin e dyshuar të përdhunimit ndaj shtetases kroate. Sipas policisë, veprimi dyshohet të jetë kryer në bashkëpunim mes të dyshuarve.
Të arrestuarit janë marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, dhe pritet një propozim për caktimin e masës së sigurisë me paraburgim, në pritje të hetimeve të mëtejshme.
Identitetet e personave të përfshirë nuk janë bërë të ditura, ndërkohë që autoritetet kroate kanë theksuar se hetimet janë në vijim dhe se do të trajtohen me seriozitetin dhe diskrecionin që kërkon natyra e ngjarjes.