Vrasja e shtetasit irakian në Vërmicë të Prizrenit – ngrihet aktakuzë ndaj një personi

23.07.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.A., i cili ndodhet në paraburgim që nga data 15 tetor 2024, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, më 17-18 qershor 2022, në një kohë të papërcaktuar, në zonat malore pranë fshatit Vërmicë në Prizren, i pandehuri M.A., i armatosur me pistoletë të kalibrit 7.65×17 mm, ka privuar nga jeta shtetasin irakian J.H., pas një mosmarrëveshjeje mes grupit të tij dhe grupit të viktimës, të cilët dyshohet se ishin të përfshirë në kontrabandim të migrantëve sirianë në territorin e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, M.A. ka vepruar me dashje, duke shtënë me armë në drejtim të J.H., i cili ndërroi jetë si pasojë e plagës së marrë. Autopsia e kryer nga Dr. Naim Haliti konfirmon se vdekja ishte e dhunshme dhe ka ardhur nga gjakderdhje e brendshme dhe e jashtme, për shkak të dëmtimit të mushkërisë së majtë nga predha e armës.

Gjatë të shtënave, M.A. ka rrezikuar jetën edhe të migrantëve të tjerë, që ndodheshin bashkë me viktimën, në përpjekje për të eliminuar grupin kundërshtar dhe për të përfituar përfitime materiale nga aktiviteti kriminal i kontrabandimit të migrantëve.

Hetimet e thelluara kanë zbuluar prova të forta ndaj të pandehurit, përfshirë fotografi dhe video të momentit të vrasjes në vendin e ngjarjes, të gjetura në telefonin e tij. Po ashtu, përmes transkriptimit të bisedave në aplikacionin “WhatsApp”, Prokuroria ka siguruar prova ku M.A. pranon vrasjen në komunikim me një person të tretë, të identifikuar si N.N.

Në lidhje me përdorimin e armës së zjarrit, M.A. dyshohet gjithashtu për posedim të paautorizuar të armës – pistoletës me të cilën është kryer vrasja – pasi nuk ka pasur leje valide për mbajtjen e saj. Ky fakt është vërtetuar përmes gëzhojave të gjetura në vendin e ngjarjes.

Prokurori i çështjes ka propozuar që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.