Aktakuzë ndaj një mjeku në Prizren: Dyshohet se detyroi pacienten të lindë në një klinikë private

15.07.2025

Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.Gj., nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 31 janar 2022 në Prizren, kur i pandehuri, në cilësinë e mjekut pranë repartit të Gjinekologjisë – Obstetrike të Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, dyshohet se ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Shëndetësi duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim përfitimi personal.

Në detaje, ai kishte refuzuar ta pranojë një paciente, G.B., për kryerjen e lindjes me operim në spitalin publik me arsyetimin se në repart kishte pacientë të infektuar me Covid-19. Më pas, ai ia kishte rekomanduar pacientes dhe bashkëshortit të saj që lindjen ta kryenin në një klinikë private në Prishtinë – në të cilën ai vet ishte i angazhuar si mjek. Kjo, ndonëse kontrollet mjekësore paraprake pacientja i kishte kryer në spitalin publik dhe në klinikën private të të pandehurit në Prizren.

Si pasojë, lindja u krye në klinikën private në Prishtinë nga vetë i pandehuri, duke u shkaktuar dëmtuarve një dëm financiar prej 1,500 euro.

Prokurori i çështjes ka kërkuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas dispozitave ligjore në fuqi.