APK dorëzon kallëzime penale ndaj katër deputetëve për mosdeklarim të pasurisë – mbi 100 masa të ndërmarra në vitin 2025
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka dorëzuar së paku 48 kallëzime penale në prokuroritë përkatëse gjatë muajit qershor, përfshirë edhe katër deputetë të Kuvendit të Kosovës, nën dyshimin për mosdeklarim të pasurisë.
Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se këto kallëzime penale ndërlidhen me deklarimet e pasurisë të dorëzuara gjatë vitit 2024. Përveç deputetëve, të përfshirë janë edhe këshilltarë të ministrave, zyrtarë të Avokatit të Popullit, zyrtarë të ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të tjera të pavarura.
Buleshkaj thekson se katër deputetët e përfshirë në kallëzim janë pjesë e legjislaturës aktuale dhe kanë qenë gjithashtu deputetë edhe në mandatin e kaluar. Ata vijnë nga subjekte të ndryshme politike, por emrat e tyre nuk janë bërë publik për shkak të mundësisë së ndikimit në hetimet eventuale.
“Sipas të dhënave që kemi, janë të paktën katër deputetë që janë në mesin e 48 kallëzimeve penale tashmë të dorëzuara. Ata vijnë nga subjekte të ndryshme politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës. Lista nuk është përfundimtare, sepse jemi duke finalizuar edhe rreth 70 kallëzime të tjera,” tha Buleshkaj.
Ai shtoi se përveç mosdeklarimit të pasurisë, janë evidentuar edhe raste të apartamenteve të padeklaruara, të hyrave dhe bizneseve të paregjistruara.
“Kemi evidentuar apartamente, të hyra dhe biznese që nuk janë deklaruar. Këto raste përfshijnë nivele të ndryshme të institucioneve, si lokale, qendrore dhe të pavarura,” theksoi ai.
Në kuadër të masave administrative për mosdeklarim apo vonesë në deklarim të pasurisë, janë shqiptuar gjithsej 99 gjoba, nga të cilat 58 janë arkëtuar. Sipas Buleshkajt, kjo është shifra më e lartë e gjobave të shqiptuara deri më tani nga Agjencia.
“Deri më tani kemi shpërndarë 99 gjoba, që përbëjnë 30 për qind të pagës mujore të zyrtarëve publikë. 58 prej tyre janë arkëtuar, ndërsa pjesa tjetër është në proces. Përveç gjobave, janë shqiptuar edhe 9 vërejtje, varësisht nga natyra e shkeljeve,” shtoi ai.
Një tjetër zhvillim i theksuar nga drejtori i APK-së është rritja e ndjeshme e rasteve të sinjalizimit. Gjatë vetëm gjashtë muajve të parë të vitit 2025, janë regjistruar mbi 50 raste të sinjalizuara, duke e tejkaluar shifrën e tërë vitit 2024 (48 raste) dhe më shumë se dyfishuar krahasuar me vitin 2023 (20 raste).
Sinjalizimi është veprim përmes të cilit personat brenda institucioneve raportojnë shkelje ligjore, keqpërdorim të detyrës apo veprime të tjera që cenojnë interesin publik.
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka paralajmëruar se pritet që numri i kallëzimeve penale në vitin 2025 të jetë më shumë se dyfish krahasuar me një vit më parë, duke reflektuar një qasje më rigoroze ndaj shkeljeve ligjore në sistemin publik.