Fillon nesër deklarimi i pasurisë, mbi 11,000 zyrtarë të lartë duhet të deklarojnë pasurinë

28.02.2025

Nga nesër, 1 mars, e deri në fund të muajit mars, zyrtarët e lartë publikë në Kosovë do të kenë për detyrë të deklarojnë pasurinë e tyre për vitin paraprak (1 janar – 31 dhjetor 2024).

Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka deklaruar për Indeksonline se mbi 11,000 zyrtarë, nga presidentja e vendit e deri te zyrtarët që zhvillojnë hetime, licencime dhe verifikime, janë të detyruar të deklarojnë pasurinë.

Sipas Buleshkajt, zyrtarët duhet të deklarojnë të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të gjitha të hyrat, donacionet për parti politike dhe OJQ, kriptoasetet, bizneset, angazhimet, asocimet në organizata dhe të tjera.

“Zyrtarët që nuk e deklarojnë pasurinë brenda afatit do të ndëshkohen me gjobë mandatore prej 30% të pagës mujore, nëse vonesa nuk është më e gjatë se 15 ditë. Në rast se vonesa është më e madhe, ndaj tyre përgatitet kallëzim penal sipas Kodit penal dhe dërgohet në Prokurorinë e Shtetit”, ka theksuar Buleshkaj.

Gjatë vitit 2024, APK ka dorëzuar 42 kallëzime penale dhe informata në Prokurorinë e Shtetit, si dhe ka shqiptuar 40 vërejtje, kryesisht të lidhura me pasaktësi në deklarimin e pasurisë. Përveç këtyre, agjencia ka dorëzuar 1 kallëzim penal për konflikt interesi dhe ka inicuar 3 procedura kundërvajtëse në gjykatë për shkelje që lidhen me konfliktin e interesit.

“Prokuroria ka ngritur disa aktakuza mbi bazën e kallëzimeve të dorëzuara nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, por një numër i madh i rasteve ende janë në shqyrtim. Është thelbësore që trajtimi i këtyre rasteve të jetë më i shpejtë dhe më efikas për të garantuar llogaridhënie dhe forcim të mekanizmave kundër korrupsionit”, ka shtuar ai.