Skuadrat kosovare rikthehen në garat evropiane këtë mesjavë

07.07.2025

Pas një pushimi disa javor që nga përfundimi i sezonit 2024/25 në Superligën e Kosovës, skuadrat kosovare do të rikthehen në aksion në arenën evropiane këtë mesjavë.

Katër ekipe do të përfaqësojnë vendin në tri kompeticione të ndryshme: Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Ligën e Konferencës.

Kampionia Drita do të përballet në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve me skuadrën luksemburgase Differdange. Ndeshja zhvillohet të martën mbrëma në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Prishtina, si fituese e Kupës së Kosovës, do të marrë pjesë në Europa League dhe do të sfidojë ekipin moldav Sheriff Tiraspol në rrethin e parë kualifikues. Ndërkohë, Malisheva do të përballet me Vikingur nga Islanda në kuadër të UEFA Conference League. Edhe kjo ndeshje do të luhet të enjten në Prishtinë.

Ballkani, që e përfundoi sezonin e kaluar në vendin e dytë, do të garojë në rrethin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës dhe për këtë javë do të jetë pushim. Skuadrat kosovare synojnë të lënë gjurmë dhe të vazhdojnë përfaqësimin dinjitoz në Evropë.