KQZ nis trajnimin për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale 2025
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), me përkrahjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka nisur zbatimin e programit orientues të trajnimit për anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve (KKZ), në kuadër të përgatitjeve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, që do të mbahen më 12 tetor 2025.
Seanca e parë e këtij programi trajnues u mbajt të martën, ku morën pjesë rreth 60 anëtarë të KKZ-ve nga 11 komuna: Prishtinë, Podujevë, Vushtrri, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Mitrovicë e Veriut, Obiliq, Zubin Potok, Zveçan, Leposaviq dhe Graçanicë.
Sipas njoftimit të KQZ-së, qëllimi i këtij programi është të informojë dhe përgatisë anëtarët e KKZ-ve për të ushtruar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme mandatin e tyre, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga ligji dhe rregulloret zgjedhore. Trajnimi përfshin njohuri mbi të drejtat dhe përgjegjësitë e anëtarëve në menaxhimin e proceseve zgjedhore në nivel komunal.
Ndër qëllimet specifike të programit përfshihet informimi rreth ndryshimeve në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të miratuara në vitin 2023, që pritet të kenë ndikim në organizimin dhe administrimin e zgjedhjeve lokale të këtij viti. Trajnimi gjithashtu përfshin përgatitje për proceset që lidhen me votimin, numërimin në vendvotime dhe menaxhimin e rezultateve në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) dhe Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), duke përfshirë edhe përdorimin e platformës digjitale për futjen e të dhënave.
Në njoftim theksohet se anëtarët e KKZ-ve, gjatë mandatit të tyre, kanë të drejta dhe përgjegjësi të qarta që ndërlidhen me administrimin dhe zbatimin e operacioneve zgjedhore në komunat përkatëse. Trajnimet do të vazhdojnë në ditët në vijim për anëtarë të tjerë të KKZ-ve në komuna të ndryshme të vendit.
Gjatë muajit qershor, KQZ ka emëruar rreth 220 anëtarë në 38 Komisione Komunale të Zgjedhjeve. Sipas Ligjit Nr. 08/L-288 për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ-të janë përgjegjëse për administrimin e zgjedhjeve në komunat e tyre, nën mbikëqyrjen dhe udhëzimet e KQZ-së, duke garantuar ligjshmëri, legjitimitet dhe efikasitet në procesin zgjedhor. Mandati i anëtarëve të KKZ-ve fillon me emërimin nga KQZ dhe përfundon 15 ditë pas certifikimit të rezultateve përfundimtare.