Ngritet aktakuzë ndaj një personi që dyshohet se ushtroi mjekësinë pa diplomë për 8 vjet
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet A.R., nën dyshimin për kryerjen e tri veprave penale: “Ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri dyshohet se në periudhën nga 4 korriku i vitit 2016 deri më 10 dhjetor 2024, në qytetin e Ferizajt, ka ushtruar veprimtari mjekësore dhe farmaceutike në mënyrë të kundërligjshme. Ai akuzohet se ka përdorur një diplomë të falsifikuar që supozohej të ishte lëshuar nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, përkundër faktit që, sipas Prokurorisë, nuk ka qenë asnjëherë i regjistruar apo diplomuar në këtë institucion.
Duke përdorur këtë dokument të dyshuar të falsifikuar, A.R. kishte themeluar fillimisht ordinancën “Almed” dhe më pas kishte regjistruar të njëjtën veprimtari në emër të djalit të tij me emrin “Almedica”, për të vazhduar me ofrimin e shërbimeve mjekësore pa poseduar licencë valide nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjithashtu, ai dyshohet se ka përshkruar terapi mjekësore duke u prezantuar si internist-endokrinolog dhe ka përdorur faksimilin me emrin e ordinancës, duke krijuar përshtypjen e një ordinancë të licencuar. Sipas të dhënave të Prokurorisë, në hapësirat e ordinancës janë gjetur edhe barna me afat të skaduar.
Më tej, më 30 maj 2025, pavarësisht vendimit të Inspektoratit Shëndetësor për mbylljen e veprimtarisë, i pandehuri dyshohet se ka hequr shenjat zyrtare për të vazhduar aktivitetin e tij.