U përpoq t’i jepte 5 euro ryshfet policisë në kufi – arrestohet shoferi i autobusit në Vermicë

29.06.2025

Një shtetas i Maqedonisë së Veriut është arrestuar të shtunën mbrëma në pikëkalimin kufitar në Vërmicë, pasi dyshohet se ka tentuar të japë ryshfet ndaj zyrtarëve policorë gjatë kontrollit kufitar.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 28 qershor 2025, rreth orës 21:30. I dyshuari, i cili po drejtonte një autobus, gjatë dorëzimit të dokumenteve të udhëtimit, dyshohet se bashkë me to ka ofruar edhe një kartëmonedhë prej 5 eurosh për zyrtarët policorë.

Ngjarja është cilësuar si “Dhënie ryshfeti” dhe është iniciuar procedurë penale ndaj personit të përfshirë. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore.

Policia e Kosovës ka theksuar se veprimet e tilla nuk tolerohen dhe do të trajtohen me seriozitet në përputhje me ligjin në fuqi.