Shqipëri, 23-vjeçari nga Kosova humb jetën në Lezhë gjatë pushimeve me familjen

28.06.2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të shtunë në qytetin e Lezhës, ku një 23-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën tragjikisht teksa ndodhej për pushime me familjen.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Lezhës, rreth orës 09:00 të datës 28 qershor 2025, është raportuar nga Urgjenca e Spitalit Rajonal se një i ri kishte mbërritur pa shenja jete. Viktima është identifikuar si G. S., 23 vjeç, banues në Ferizaj, Kosovë.

Nga deklarimet e familjarëve, mësohet se i ndjeri kishte probleme shëndetësore që nga fëmijëria. Bazuar në të dhënat paraprake, dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.

Autoritetet shqiptare janë duke vijuar me procedurat ligjore dhe mjeko-ligjore për të përcaktuar me saktësi shkaqet e vdekjes. Ngjarja ka tronditur familjen dhe të afërmit e të riut, ndërsa institucionet përkatëse janë duke ofruar mbështetjen e nevojshme.