Gruaja tenton ta sulmojë burrin me thikë në Prishtinë, arrestohet nga policia

27.06.2025

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e kaluar në rrugën “Indrit Caran” në Prishtinë, ku një grua është arrestuar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se ka tentuar ta sulmojë bashkëshortin e saj me thikë.

Sipas raportit të policisë, ngjarja ka ndodhur më 26 qershor 2025, rreth orës 20:50, pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit. Ankuesi, një mashkull kosovar, ka raportuar se bashkëshortja e tij ka tentuar ta godasë me thikë, duke e vënë në rrezik jetën e tij.

Autoritetet kanë ndërhyrë menjëherë, duke e arrestuar të dyshuarën. Pas intervistimit në prani të prokurorit të rastit, është marrë vendim që ajo të dërgohet në mbajtje, ndërsa rasti po trajtohet si tentim sulmi fizik në rrethana familjare.

Hetimet lidhur me motivin dhe rrethanat e plota të këtij rasti janë duke vazhduar.