Malishevë, policia gjobit qytetarin për ndezje të qëllimshme zjarri – Apel për parandalim të djegieve në hapësira publike

26.06.2025

Stacioni Policor në Malishevë ka intensifikuar masat për parandalimin e djegieve të qëllimshme, të cilat përveç ndotjes së ajrit, përbëjnë rrezik real për përhapjen e zjarreve, veçanërisht gjatë stinës së verës.

Në një rast të fundit të ndodhur më 25 qershor 2025, në një hapësirë publike brenda Komunës së Malishevës, është identifikuar një person që kishte ndezur zjarr me qëllim, në një zonë të banuar. Bazuar në ligjin nr. 08/L-071, neni 49, paragrafi 1.7.9, policia ka ndërmarrë masa duke i shqiptuar atij një gjobë prej 500 euro.

Policia kujton se djegia e mbeturinave, barërave apo materialeve të tjera është e ndaluar me ligj, dhe përbën rrezik serioz për mjedisin dhe jetën e qytetarëve. Këto veprime ndodhin shpesh gjatë muajve të nxehtë, kur edhe rreziku për përhapje të shpejtë të zjarrit është më i lartë.

“Apelojmë te qytetarët që të shmangin çdo lloj djegieje në ambient të hapur dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar në numrin emergjent 192 ose te autoritetet lokale”, thuhet në njoftimin e policisë.

Bashkëpunimi i qytetarëve është jetik për mbrojtjen e mjedisit dhe sigurinë e përbashkët të komunitetit. Policia njofton se kontrollet dhe patrullimet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim për të parandaluar veprimet e tilla të paligjshme.