Operacioni “Hidden Funds”, sekuestrohen 500 mijë euro, arrestohet pronarja e një “exchange”-i në Tiranë
Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Hidden Funds”, duke sekuestruar 500 mijë euro, të cilat dyshohen se janë përfituar nga veprimtari kriminale.
Këtë e bëri të ditur Policia përmes një njoftimi, transmeton Telegrafi.
Si rezultat i një hetimi të iniciuar nga Seksioni për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve Kriminale i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe i ndjekur nga Prokuroria e Tiranës, u finalizua ky operacion, në kuadër të të cilit u procedua penalisht shtetasja E. K., 72 vjeçe, pronarja e një subjekti “exchange”. Ajo u procedua në gjendje të lirë.
Në njoftim theksohet se pronarja nuk deklaronte shumat e parave, të cilat depozitoheshin nga persona të ndryshëm në subjektin e saj, me qëllim përdorimin e tyre për huadhënie me përqindje, jashtë sistemit bankar. Kjo veprimtari, sipas provave të mbledhura, synonte shmangien e deklarimit ligjor dhe përdorimin e parave për qëllime të paligjshme.
Policia bën të ditur se puna vazhdon për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, me qëllim dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tyre dhe vënien përpara përgjegjësisë penale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. Ky operacion shënon një hap të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe veprimtarive financiare të paligjshme në Shqipëri.