Kurti pret grupin ndërshtetëror për rrugën Prizren–Tetovë: Projekt strategjik për ndërlidhje dhe zhvillim rajonal

20.06.2025

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim anëtarët e grupit punues ndërshtetëror për projektin e ndërtimit të rrugës Prizren–Tetovë, një ndër projektet më strategjike ndërkufitare në rajon.

Në takim morën pjesë edhe zëvendësministrja e Transportit të Maqedonisë së Veriut, Kaltrina Zekolli Shaqiri, si dhe zëvendësministri në detyrë i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, ky takim përbën një hap domethënës drejt realizimit të këtij projekti, i cili synon të forcojë ndërlidhjen rrugore ndërmjet dy qyteteve të rëndësishme – Prizrenit dhe Tetovës – përmes një bashkëpunimi teknik dhe politik ndërmjet dy qeverive.

Gjatë takimit u bë e ditur se Maqedonia e Veriut do të ndërmarrë së shpejti detyrën projektuese për segmentin Tetovë–Prizren, duke hapur rrugën për hartimin e projektit dhe definimin e standardeve të ndërtimit.

Paraprakisht, grupi punues kishte zhvilluar një takim teknik ku u diskutuan pikat kryesore të detyrës projektuese, me synimin për të avancuar drejt përgatitjes së kritereve teknike dhe shpalljes së tenderit për projektimin e rrugës.

Ky ishte takimi i dytë zyrtar i këtij grupi punues që nga themelimi i tij, dhe përfaqësuesit e të dyja vendeve shprehën përkushtim të vazhdueshëm për koordinim dhe bashkëpunim. Ata theksuan se ky projekt është dëshmi e vullnetit të përbashkët për ndërtimin e infrastrukturës që afron qytetarët dhe forcon ekonomitë e vendeve përkatëse.