Pesë shtetas shqiptarë largohen nga Izraeli, pritet kthimi në Shqipëri

17.06.2025

Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, ka njoftuar sot përmes një postimi në Facebook se pesë qytetarë shqiptarë, të cilët ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar në mënyrë të sigurt nga vendi.

Kjo vjen pas një periudhe tensioni në Lindjen e Mesme.

“Pesë qytetarë shqiptarë, që ndodheshin në Izrael për arsye turistike dhe profesionale, janë larguar sot nga Izraeli në mënyrë të sigurt përmes Egjiptit. Ata ndodhen tashmë në Egjipt, në gjendje të mirë shëndetësore, dhe pritet të kthehen së shpejti në Shqipëri,” shkruan Hasani.

Largimi dhe kthimi i tyre u mundësua nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet ambasadave shqiptare në Tel Aviv dhe Kajro.

Ministri Hasani falënderoi autoritetet izraelite, Ambasadën Greke dhe Ambasadën Bullgare në Tel Aviv, autoritetet egjiptiane, si dhe Konsullin e Përgjithshëm të Shqipërisë në Liban, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e dhënë në këtë operacion. Ky lajm sjell lehtësim për familjet e shtetasve shqiptarë, të cilët ishin të prekur nga situata e sigurisë në rajon.