Sot bëhen 26 vjet nga fundi i Serbisë në Kosovë
Sot, më 10 qershor, Kosova shënon 26-vjetorin e një prej datave më të rëndësishme në historinë e saj moderne: tërheqjen e forcave kriminale ushtarake dhe paramilitare serbe, duke shënuar kështu fundin e pushtimit serb mbi Kosovën.
Kjo tërheqje erdhi si rezultat i një kombinimi të faktorëve: luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në terrendhe bombardimeve ajrore të NATO-s, të cilat detyruan Serbinë të nënshkruajë marrëveshjen në Kumanovë më 9 qershor të vitit 1999.
Marrëveshja u nënshkrua nga Michael Jackson, komandanti i parë i Forcës së Kosovës (KFOR), dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës së Serbisë, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i cili më vonë u akuzua në Hagë për krime lufte në Kosovë.
Sulmet ajrore të NATO-s, të cilat vazhduan për 78 ditë, u ndalën më 10 qershor, pasi Komandanti Suprem i atëhershëm i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet kishin detyruar ushtrinë dhe paramilitarët serbë të fillonin tërheqjen e plotë nga Kosova.
Me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë, nisi edhe vendosja e Misionit të Përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNMIK), i cili do të administronte vendin deri në shpalljen e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Kjo datë mbetet një kujtesë e sakrificave dhe e fitores së lirisë për popullin e Kosovës.