Dhomat e Specializuara vazhdojnë paraburgimin për Thaçin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin e pengimit të drejtësisë

09.06.2025

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë u kanë vazhduar masën e paraburgimit ish-presidentit Hashim Thaçi, si dhe Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Bashkim Smakajt.

Këta të fundit, së bashku me Hajredin Kuçin, akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Katër vendimet për vazhdimin e paraburgimit janë marrë veçmas nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot.


Rreziku i arratisjes dhe pengimit të procedurave

Ndryshe nga rasti ku Thaçi akuzohet për krime lufte, ku nuk ishte konstatuar rrezik arratisjeje, në këtë rast gjyqtarja ka konstatuar se ekziston mundësia e arratisjes së tij. Ky konstatim bazohet në disa faktorë:

  • Rëndësia e veprave penale për të cilat Thaçi akuzohet.
  • Qëllimet jo të mira ndaj ligjeve dhe rregullave të DhSK-së.
  • Fakti që Thaçi vazhdon të fitojë njohuri mbi provat që mbështesin akuzat kundër tij.

“Prandaj, në dritën e të mësipërmeve dhe në mungesë të ndonjë informacioni të ndërmjetëm në kundërshtim me to, Gjykatësja i procedurës paraprake konkludon se rreziku i arratisjes në lidhje me z. Thaçi vazhdon të ekzistojë,” thuhet në vendim.

Krahas rrezikut të arratisjes, vendimi thekson se ekziston edhe rreziku që Thaçi të pengojë procedurat e DhSK-së dhe të kryejë krime të tjera, duke iu referuar edhe çështjes së tij për krime lufte, e cila ka rezultuar me ngritjen e aktakuzës në rastin aktual. Gjyqtarja Masselot ka konkluduar se asnjë kusht i lirimit nuk mund t’i zbusë mjaftueshëm këto rreziqe përveç qëndrimit në objektin e paraburgimit në Hagë.


Vazhdimi i paraburgimit për Smakajn, Kilajn dhe Fazliun

Për Bashkim Smakajn, vendimi thekson se ekziston rreziku i arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve të tjera. Gjyqtarja ka vlerësuar se asnjë nga kushtet e propozuara për lirimin me kusht, përfshirë garancinë prej 30 mijë eurosh apo kufizimet në komunikim e lëvizje, nuk mund t’i zbusin mjaftueshëm rreziqet, duke pasur parasysh edhe “rrjetin e rëndësishëm të individëve me ndikim brenda rrjetit të UÇK-së dhe/ose qarqeve politike ku bën pjesë i akuzuari”.

Njëjtë, edhe për Isni Kilajn, gjyqtarja ka konstatuar rreziqe të arratisjes, pengimit të procedurave dhe kryerjes së krimeve. Asnjë nga kushtet e propozuara nga mbrojtja, përfshirë shumën prej 40 mijë eurosh dorëzani, nuk u konsiderua e mjaftueshme. Pretendimi se koha e kaluar në paraburgim do të kalojë çdo dënim eventual, u hodh poshtë si spekulativ.

Për Fadil Fazliun, është konstatuar gjithashtu se ekzistojnë baza të arsyeshme për të besuar se ai mund të arratiset, të pengojë procedurat dhe të kryejë krime të tjera. Edhe në rastin e tij, asnjë nga kushtet e propozuara nuk u vlerësua e mjaftueshme për të zbutur rreziqet.


Akuzat dhe pozita e të akuzuarve

Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ku po gjykohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza e fundit ndaj tij, e ngritur për pengim të administrimit të drejtësisë, është dorëzuar më 5 dhjetor 2024.

Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në Hagë më 6 dhjetor 2024, bazuar në aktakuzat e konfirmuara.

Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza dhe fletëthirrja, ndërsa paraqitja e tij e parë u mbajt më 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi akuzohet se, individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet (Grupi Fazliu, Grupi Smakaj, Grupi Kilaj), ka ndjekur një model sjelljeje për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave. Pretendohet se ai ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur për krime lufte.

Aktakuza specifikon se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të privilegjuara në korrik, shtator dhe tetor 2023.

Në total, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Pas ankesës së Prokurorisë, atij i është shtuar edhe një formë përgjegjësie për “nxitje” për kryerjen e veprës penale të pengimit. Thaçi është deklaruar i pafajshëm për këtë akuzë shtesë.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë dhe mosbindje ndaj gjykatës.Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.