Përfundon testimi PISA në Kosovë, ekspertët nuk presin ndryshime të mëdha në rezultate
Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA) ka përfunduar procesin e testimit në Kosovë. Testimi, i cili u zhvillua gjatë muajit maj, përfshiu 239 shkolla dhe rreth 7 mijë e 300 nxënës të moshës 15-vjeçare.
Fokusi kryesor i këtij cikli ishte shkenca dhe mjedisi. Megjithatë, njohës të fushës së arsimit nuk presin ndonjë ndryshim thelbësor në rezultatet e ardhshme.
Gjatë periudhës 12-30 maj, nxënësit iu nënshtruan një testimi që vlerësonte aftësitë e tyre në përdorimin e teknologjisë për të mësuar, si dhe plotësuan një pyetësor në lidhje me motivimin dhe angazhimin e tyre në procesin mësimor.
Udhëheqësi i Qendrës për Standarde dhe Vlerësim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, deklaroi për Radio Kosovën se këtë vit testimi u realizua në formatin online. Ai theksoi se PISA vlerëson tërësisht sistemin arsimor dhe jo vetëm performancën individuale të nxënësve. Edhe pse ai shprehu pakënaqësinë me rezultatet e viteve të kaluara, Elezi theksoi nevojën për ndryshim të mentalitetit dhe metodologjisë në mësimdhënie.
Nga ana tjetër, njohësi i fushës së arsimit nga Instituti “EdGuard”, Rinor Qehaja, shprehu skepticizmin e tij për ndonjë përmirësim të dukshëm në rezultatet e testit PISA. Ai tha për Radio Kosovën se nuk pret ndryshime të mëdha.
Po ashtu, njohësi tjetër, Xhavit Rexhaj, theksoi rëndësinë që nxënësit të mësohen dhe të përshtaten me metodologjitë e reja të kërkuara nga PISA.
Testimi ndërkombëtar PISA synon të vlerësojë performancën e nxënësve 15-vjeçarë në detyra që lidhen me situata reale të jetës, të cilat konsiderohen thelbësore për pjesëmarrjen efektive në shoqërinë e të rriturve dhe për mësimin gjatë gjithë jetës. Rezultatet e këtij testimi priten me interes nga akterët e arsimit dhe politikëbërësit për të kuptuar pozicionin e Kosovës në krahasim me vendet e tjera dhe për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmirësimin e sistemit arsimor.