Profesori Bajram Zogaj: Rezultatet e PISA-s nuk e tregojnë tërësisht gjendjen e arsimit në Kosovë
Profesori i Gjimnazit “Jeta e Re” në Suharekë, Bajram Zogaj, ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën se si interpretohen rezultatet e Kosovës në testin ndërkombëtar PISA, duke theksuar se rezultatet nuk duhet të jenë i vetmi tregues për cilësinë e arsimit në vend.
Foto: Ilustrim
Në një shkrim të tij, Zogaj, i cili ka 27 vite përvojë në arsimin e mesëm të lartë, ka treguar përvojën e tij gjatë angazhimit në menaxhimin dhe monitorimin e testimit PISA në disa shkolla në Mitrovicë, Prishtinë, Kaçanik dhe Prizren.
Sipas tij, aspekti teknik dhe infrastruktura në shkollat ku është zhvilluar testi kanë qenë përgjithësisht në gjendje të mirë, ndërsa problemi kryesor, sipas tij, ka qenë qasja dhe përgatitja e nxënësve të përzgjedhur.
Zogaj thotë se në disa raste nxënësit nuk kanë qenë mjaftueshëm të vetëdijësuar për rëndësinë e PISA-s dhe faktin se përmes këtij testi vlerësohet performanca e sistemit arsimor të Kosovës në raport me vendet e tjera pjesëmarrëse.
Ai sjell si shembull raste kur disa nxënës, sipas tij, kanë kaluar shumë shpejt nëpër pyetjet e testit pa i lexuar ose trajtuar seriozisht, ndërsa nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave të mjekësisë, sipas përvojës së tij, kanë treguar më shumë seriozitet dhe përkushtim.
“E vërteta e arsimit në Kosovë, nuk është e vërteta e rezultateve në PISA”, shkruan Zogaj, duke theksuar se gjendja në arsimin kosovar nuk është ideale, por as aq e dobët sa paraqitet në disa narracione publike.
Profesori përmend edhe sukseset e nxënësve kosovarë në gara ndërkombëtare dhe olimpiada shkencore, si dhe kontributin e profesionistëve kosovarë që, sipas tij, po dëshmojnë sukses në Evropë dhe më gjerë.
Në shkrimin e tij, Zogaj kërkon që arsimi të bëhet prioritet nacional për së paku dy mandate qeverisëse. Ai propozon investime të mëdha në infrastrukturën shkollore, pajisje teknologjike, laboratorë, kabinete të TIK-ut, tabela të mençura, projektorë dhe mjete të tjera mësimore.
Po ashtu, ai kërkon investime në cilësinë e mësimdhënies përmes trajnimit të vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe përdorimit të metodave më praktike të të nxënit.
“Si është arsimi sot, është kombi nesër”, citon Zogaj ish-kryeministrin britanik Tony Blair, duke nënvizuar nevojën që arsimi të trajtohet si prioritet mbi prioritetet.
Në fund, ai i rekomandon Ministrisë së Arsimit që të krijojë ekipe të veçanta për përgatitjen dhe vetëdijësimin e nxënësve për rëndësinë e pjesëmarrjes në PISA, në mënyrë që ata ta kuptojnë se rezultatet e tyre përfaqësojnë Kosovën në një vlerësim ndërkombëtar.
