“Guxo” reagon pas intervistimit të ministrit Peci: Prokuroria Speciale po bëhet pjesë e lojërave politike

27.05.2025

Partia “Guxo” ka reaguar me shqetësim të thellë pas intervistimit për disa orë të ministrit në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, nga autoritetet e drejtësisë nën dyshimet për korrupsion.

Në një deklarim zyrtar, “Guxo”, pjesë e së cilës është ministri Peci, ka shprehur shqetësimin se po jepen shenja që Prokuroria Speciale është bërë pjesë e lojërave politike.

“E gjithë kjo çështje merr një shije edhe më të hidhur kur kihet parasysh që krejt ‘rastësisht’ prokurori i rastit të sajuar është ish-sekretar i Forumit Rinor të PDK-së në Prizren,” thuhet në reagimin e partisë “Guxo”, duke aluduar për njëanshmëri politike në proces.

Partia ka theksuar se ministri Peci është një figurë e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit. “Ministri Peci është simbol i përkushtimit të palëkundur në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Me vendosmëri dhe integritet të lartë, ai ka qenë në vijën e parë të përpjekjeve për pastrimin e institucioneve dhe për rikthimin e besimit qytetar në shtetin e së drejtës,” thuhet më tej në reagim.

Reagimi i “Guxo”-s sugjeron se partia e sheh intervistimin e ministrit Peci si të motivuar politikisht dhe jo thjesht si një proces ligjor.