“Kosova po forcon themelet e sigurisë në Ballkanin Perëndimor”

25.05.2025

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ka folur në një panel të rëndësishëm për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Osmani ka theksuar se reformat e ndërmarra nga Kosova dhe investimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë po e pozicionojnë vendin si një partner të rëndësishëm mes vendeve që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe sigurisë.

“Në vazhdën e aktiviteteve në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s në SHBA, sot pata nderin të jem folëse në panelin për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe paqen e sigurinë në Ballkanin Perëndimor,” ka shkruar Osmani.

Ajo ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si aleat strategjik, dhe të aleatëve të tjerë, në përpjekjet e Kosovës për të forcuar themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike.

“Me mbështetjen e aleatit tonë strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe aleatëve të tjerë, po forcojmë themelet e një rajoni më të sigurt, më të qëndrueshëm dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike,” ka shtuar Osmani.

Pjesëmarrja e presidentes Osmani në këtë panel të rëndësishëm në Asamblenë Parlamentare të NATO-s tregon angazhimin e Kosovës për të luajtur një rol aktiv në sigurinë e rajonit dhe për të avancuar integrimin e saj në strukturat euroatlantike.