Specialja refuzon dëshminë e dëshmitarit të 29 të Prokurorisë, konstatohen probleme mendore

20.05.2025

Gjyqtarët e Dhomave të Specializuara kanë refuzuar deklaratat e dëshmitarit të 29 të Prokurorisë së Specializuar, pas konstatimit mjekësor se ai vuan nga probleme mendore.

Sipas vendimit të gjyqtarëve, dëshmia e tij nuk do të merret parasysh në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit që po zhvillohet në Hagë.

Vendimi i refuzimit erdhi pasi dëshmitari, i cili dëshmoi me identitet të mbrojtur duke nisur nga tetori i vitit 2023, mohoi të kishte dhënë një deklaratë në vitin 2004, duke akuzuar Prokurorinë për falsifikim të nënshkrimit të tij. Pavarësisht se u paraqit disa herë para trupit gjykues, ai asnjëherë nuk e përfundoi dëshminë. Pas konsultave mjekësore dhe ankesave të tij, u konstatua se dëshmitari kishte probleme mendore.

Prokuroria insistoi që dëshmia e tij të pranohej, por kjo kërkesë u refuzua nga gjyqtarët e Speciales. Paneli vuri në dukje se Prokuroria ishte njoftuar për vështirësitë me gatishmërinë e dëshmitarit dhe nuk kishte ndërmarrë veprime të mjaftueshme për të siguruar dëshminë e tij ose për të kërkuar ndihmë nga Paneli.

“Paneli vëren në këtë drejtim se Prokuroria ishte njoftuar për vështirësitë që lidheshin me gatishmërinë dhe përgatitjen e dëshmitarit për të dëshmuar dhe kërkesat përkatëse që ai bëri në lidhje me të. Prandaj, Prokuroria kishte njoftim dhe kohë të mjaftueshme për të siguruar dëshminë e dëshmitarit ose për të kërkuar ndihmë të përshtatshme nga Paneli. Për këto arsye, Paneli nuk e gjen të vërtetën në pohimin e ZPS-së se ka bërë të gjitha përpjekjet e arsyeshme për të siguruar paraqitjen e W04577 para Panelit dhe se dëshmitari nuk është në gjendje të dëshmojë,” thuhet në vendimin e publikuar.

Ndërkohë, trupi gjykues është në pritje të mocionit të mbrojtjes për rrëzimin e pikave të aktakuzës, për të cilin afati i dorëzimit është 2 qershori.