Filloi testimi PISA 2025 për nxënësit e Suharekës
Sot ka nisur në Suharekë realizimi i testimit ndërkombëtar PISA 2025, i cili vlerëson njohuritë dhe aftësitë e nxënësve 15-vjeçarë në lexim, matematikë dhe shkencë.
Bazuar në kërkesat e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Suharekë ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për zbatimin e këtij projekti. Nga komuna e Suharekës janë përzgjedhur shtatë shkolla për të marrë pjesë në testim: tre shkolla të mesme të larta (gjimnazi “Jeta e Re”, shkolla profesionale “Abdyl Ramaj” në Shirokë dhe shkolla teknike “Skënder Luarasi”) dhe katër shkolla të mesme të ulëta (“Dëshmorët e Kombit” në Vraniq, “Naum Veqilharxhi” në Mohlan, “Drita” në Gllancë dhe “Xhavit Sylaj” në Sllapuzhan).
Udhëheqësit e projektit PISA 2025 kanë pranuar nga DKA-ja informacione të sakta për të gjithë nxënësit që plotësojnë kriteret e përzgjedhjes, të cilët janë nxënësit e lindur ndërmjet 1 janarit 2009 dhe 31 dhjetorit 2009.
Nga të gjithë 15-vjeçarët e komunës së Suharekës, 219 nxënës janë përzgjedhur për t’iu nënshtruar këtij testimi, i cili ka filluar sot, më 20 maj 2025, dhe do të vazhdojë edhe dy ditët e ardhshme sipas këtij orari:
- 20.05.2025: Testimi i nxënësve të gjimnazit “Jeta e Re” – Suharekë, shkollës “Dëshmorët e Kombit” – Vraniq dhe shkollës “Drita” – Gelancë.
- 21.05.2025: Testimi i nxënësve të shkollës “Abdyl Ramaj” – Shirokë dhe shkollës “Naum Veqilharxhi” – Mohlan.
- 22.05.2025: Testimi i nxënësve të shkollës “Skënder Luarasi” dhe shkollës “Xhavit Sylaj” – Sllapuzhan.
Në këtë proces janë përfshirë edhe drejtorët dhe koordinatorët e shkollave. Pyetësori i drejtorëve është plotësuar online, duke siguruar informacione që vërtetojnë përgjigjet e nxënësve. Në të gjitha shkollat pjesëmarrëse janë caktuar koordinatorë, të cilët kanë punuar me nxënësit në përgatitje për testim. DKA ka ofruar mbështetje të vazhdueshme përmes takimeve me koordinatorët dhe shpërndarjes së udhëzimeve dhe materialeve informuese.
Me këtë rast, Drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani, u uroi suksese nxënësve, duke theksuar se me përkushtimin dhe seriozitetin e tyre, ata sot përfaqësojnë shkollën, komunitetin dhe mbarë vendin në këtë vlerësim të rëndësishëm. Ai siguroi nxënësit për mbështetjen e DKA-së në çdo hap të rrugëtimit të tyre.