Kryetari Bali Muharremaj deklaron afër 330 mijë euro pasuri të paluajtshme

25.04.2025

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka bërë publike pasurinë e tij në kuadër të deklarimit vjetor pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), duke raportuar pasuri të paluajtshme në vlerë prej afërsisht 330 mijë euro.

Sipas regjistrit të publikuar për vitin 2025, Muharremaj ka deklaruar se është pronar i një shtëpie prej 300 metrash katrorë, e vlerësuar në 58,080 euro, një truall prej 38.11 ari në vlerë 37,663 euro, si dhe dy banesa – njëra prej 92 m² me vlerë 43,200 euro dhe tjetra prej 73 m² me vlerë 43,800 euro.

Gjithashtu, ai ka përfshirë në deklarim edhe dy ara bujqësore, njëra prej 23.38 ari në vlerë 140,280 euro, dhe tjetra prej 17.97 ari, e vlerësuar në 5,391 euro, raporton Telegrafi.

Në kategorinë e pasurive të luajtshme, Muharremaj ka deklaruar dy vetura në shfrytëzim nga familja. Njëra është në pronësi të tij personale dhe vlerësohet 10 mijë euro, ndërsa tjetra, në pronësi të bashkëshortes, është vlerësuar 8 mijë euro.

Sa i përket mjeteve financiare, ai ka raportuar 929.59 euro para të gatshme në llogaritë bankare personale, si dhe rreth 19 mijë euro të tjera në emër të bashkëshortes dhe fëmijëve.

Të ardhurat vjetore të deklaruara nga posti i tij si kryetar komune kapin shumën 16,120 euro, ndërsa ai ka përfituar edhe 8,200 euro si mëditje për udhëtime jashtë vendit.

Në formularin e dorëzuar në APK, Muharremaj ka përfshirë edhe të ardhurat e fëmijës, të cilat kapin vlerën 12,300 euro, të përshkruara si kapital i biznesit, si dhe kursime prej 7,950 euro në emër të bashkëshortes.

Deklarimi i pasurisë është pjesë e obligimeve ligjore për zyrtarët publikë në Kosovë, me qëllim të promovimit të transparencës dhe luftimit të korrupsionit në sektorin publik.