Zyba: “Opozita e ka hallin me Kurtin, jo me Haxhiun!”
Deputeti nga Suhareka i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Salih Zyba, ka reaguar ashpër ndaj kritikave dhe bllokadës për zgjedhjen e Albulena Haxhiut kryetare të Kuvendit të Kosovës.
Në një postim të tij, Zyba ka theksuar se problemi i oponentëve nuk është vetë kandidatja, por Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj, Albin Kurti.
“Këta e kanë hallin me VETËVENDOSJE!n dhe Albin Kurtin, jo me Albulena Haxhiun,” ka shkruar Zyba, duke e cilësuar situatën aktuale si “më bardhë e zi se kurrë”.
Më tej, deputeti i LVV-së ka listuar një sërë figurash dhe mediash që, sipas tij, po hedhin “vrer” dhe po bëjnë fushatë kundër LVV-së dhe Albin Kurtit, duke i lidhur ata me afera të ndryshme të së kaluarës dhe lidhje të dyshimta.
Zyba ka përmendur akuza të mëparshme nga Ambasada Amerikane për lajme me burim rus, raporte të mediave serbe për gjetjen e eshtrave të Ukshin Hotit, referime të protestave të serbëve në veri si protesta në Serbi, dhe lidhje të figurave mediatike me individë që kanë promovuar amnisti për krimet e luftës apo shkëmbimin territorial.
Ai gjithashtu ka përmendur drejtorë mediash me lidhje me Serbinë dhe politikanë që kanë votuar për tema të kontestuara si Zajednica, Gjykatën Speciale dhe amnistinë në veri, si dhe afera të tjera të dyshimta.
“Të gjithë këta, dhe jo vetëm këta, sot intezivisht gurgullojnë duke zhurmuar, fshihen prapa gazetarisë, por i njohim të gjithë,” ka përfunduar Zyba, duke lënë të kuptohet se ai dhe partia e tij janë të vetëdijshëm për motivet dhe sfondin e atyre që po e kundërshtojnë zgjedhjen e Albulena Haxhiut.