Problemet me sistemin e KQZ-së, Kryeziu: Qeveria e Kosovës s’ka të bëjë me serverët e as softwaret e KQZ-së
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pas akuzave se Qeveria ka ndërhyrë në procesin zgjedhor, duke përfshirë këtu raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare.
Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, ai ka thënë se qeveria nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor.
“Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion”, ka thënë Kryeziu.
Tutje siç shprehet Kryeziu, akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij.
“Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave. Vota e gjithsecilit do të mbrohet, vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet”, tha ai.