Sipas rezultateve preliminare LDK në Suharekë pati rritje të votave për 33.89%

12.02.2025

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka shënuar një rritje të konsiderueshme të votave në zgjedhjet e 9 shkurtit në Suharekë, duke tejkaluar rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021.

Sipas të dhënave të para, LDK ka marrë 7028 vota, pa përfshirë votat e diasporës, personave me nevoja të veçanta dhe ato me kusht.

Kjo shifër përfaqëson një rritje prej 33.89% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, ku LDK kishte marrë gjithsej 5249 vota në Suharekë.

Rezultatet e plota, përfshirë votat e diasporës dhe ato me kusht, priten të publikohen në ditët në vijim. Megjithatë, edhe këto të dhëna paraprake tregojnë një trend pozitiv për LDK-në në Suharekë.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të cilat përfshijnë numërimin e 100% të votave, Vetëvendosje ka marrë 8,898 vota, duke zënë 34.27% të totalit. Kjo e rendit atë si partinë e parë në Suharekë.

LDK, dikur dominuese në Suharekë, është renditur e dyta me 7,028 vota (27.07%), ndërsa AAK, partia që aktualisht udhëheq me komunën, ka marrë 4,780 vota (18.41%), duke u renditur e treta. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka marrë 4,724 vota (18.41%) dhe është renditur e katërta.

Sipas KQZ-së, rezultatet preliminare nuk përfshijnë: votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat jashtë Kosovës.