Drion Kafexholli, gjimnazisti nga Suhareka që shkëlqeu në garat shtetërore të fizikës
Një sukses të jashtëzakonshëm ka arritur nxënësi i gjimnazit “Jeta e Re” në Suharekë, Drion Kafexholli, duke zënë vendin e tretë në Garat e XXVI Shtetërore të Fizikës 2025.
Kjo garë prestigjioze, e mbajtur në ambientet e Departamentit të Fizikës të Fakultetit të Shkencave Matematikore-Natyrore, mblodhi nxënësit më të mirë nga të gjitha komunat e Kosovës, të cilët kishin triumfuar në garat komunale.
Drioni, nxënës i klasës së X-të, kishte treguar talentin e tij që në garat komunale të Fizikës, të organizuara nga DKA-Suharekë dhe MASHT, ku zuri vendin e parë. Ky sukses e kualifikoi atë për garat shtetërore, ku konkurrenca ishte shumë e fortë. Megjithatë, Drioni arriti të shkëlqejë edhe aty, duke u renditur i treti në mesin e shkollave publike të Republikës së Kosovës.
Drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani, ka vlerësuar se ky rezultat i shkëlqyer nuk do të ishte i mundur pa punën e palodhshme dhe përkushtimin e profesoreshave të fizikës, të cilat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në suksesin e nxënësve. Ai ka përgëzuar Drionin dhe të gjithë nxënësit e tjerë për arritjet e tyre, duke i uruar Drionit suksese të mëtutjeshme në garat e ardhshme.
Ky sukses i Drion Kafexhollit është një shembull i shkëlqyer i talentit dhe përkushtimit të nxënësve kosovarë, si dhe i punës së palodhshme të arsimtarëve. Ai shërben si një motivim për të gjithë të rinjtë që duan të ndjekin pasionin e tyre për shkencën dhe të arrijnë rezultate të shkëlqyera.