KQZ: Shqetësimet për ngjyrën në gisht nuk cenojnë sigurinë, kemi masa tjera të sigurisë

09.02.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi zgjedhor në Kosovë po zhvillohet pa probleme që mund të cenojnë mbarëvajtjen e tij.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka reaguar ndaj shqetësimeve të ngritura nga disa media në lidhje me ngjyrën që u vendoset votuesve në gisht pas votimit, e cila sipas raportimeve mund të fshihet shpejt.

Elezi theksoi se kjo nuk është masa e vetme e sigurisë që aplikohet gjatë procesit zgjedhor. “Të gjithë personat që votojnë, pasi identifikohen me një dokument zyrtar të Republikës së Kosovës, nënshkruajnë në hapësirën tek emri i tyre. Ky nënshkrim ia pamundëson një votuesi të votojë sërish,” tha ai.

KQZ siguron se masat e vendosura janë të mjaftueshme për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.