Britania po e shqyrton eksportin e armëve në Kosovë

08.02.2025

Mbretëria e Bashkuar po shqyrton mundësinë e eksportit të pajisjeve ushtarake në Kosovë, duke theksuar përfitimet e mundshme si për sigurinë e Kosovës ashtu edhe për industrinë britanike të mbrojtjes.

Kjo çështje u ngrit më 3 shkurt 2025 nga deputeti laburist David Taylor, i cili i kërkoi Sekretarit të Shtetit për Mbrojtjen të vlerësojë ndikimin e mundshëm të këtyre eksporteve në sigurinë e Kosovës dhe në rritjen e industrisë britanike të mbrojtjes.

Në përgjigjen e saj më 6 shkurt, Ministrja e Shtetit, Maria Eagle, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar vazhdon të monitorojë nga afër situatën e sigurisë në Kosovë dhe mbetet e angazhuar në misionin e KFOR-it për të ruajtur stabilitetin në rajon.

Ajo konfirmoi se qeveria britanike është duke shqyrtuar opsionet për eksportin e pajisjeve ushtarake në Kosovë, duke theksuar se një hap i tillë mund të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe në mbështetjen e industrisë së mbrojtjes britanike.

Megjithatë, Eagle theksoi se çdo licencë për eksport do të miratohet në përputhje me Kriteret Strategjike të Licencimit të Eksporteve të Mbretërisë së Bashkuar, duke marrë parasysh rreziqet dhe ndikimin në stabilitetin rajonal.

“Nuk lëshojmë licenca nëse kjo do të ishte në kundërshtim me kriteret tona, përfshirë Kriterin 4, i cili kërkon të vlerësojmë nëse ekziston një rrezik i qartë që këto pajisje mund të dëmtojnë paqen dhe sigurinë,” shtoi ajo.

Ministria britanike e Mbrojtjes vlerëson se shqyrtimi i eksporteve të armëve në Kosovë është pjesë e një strategjie më të gjerë për të mbështetur misionet paqeruajtëse në rajon dhe për të ruajtur interesat e mbrojtjes dhe ekonomisë britanike.