FSK shkëlqen në ushtrimin ndërkombëtar “Winter EX 2025” në Turqi

06.02.2025

Ushtrimi ndërkombëtar “Winter EX 2025”, i organizuar nga Komanda e Forcave Tokësore të Turqisë, ka përfunduar me sukses të plotë. Pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në këtë ushtrim prestigjioz ka qenë e shënuar me profesionalizëm të lartë dhe aftësi të shquara në operacione dimërore.

Kontingjenti i FSK-së ka bashkëvepruar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, duke demonstruar gatishmërinë dhe kapacitetet e tyre ushtarake në skenarë të ndryshëm operativë. Ata kanë treguar aftësi të larta dhe përkushtim në zhvillimin e operacioneve në kushte të vështira dimërore, duke dëshmuar se janë të përgatitur për çdo sfidë.

Gjatë ushtrimit, kontingjenti i FSK-së u vizitua nga Komandanti i Forcave Tokësore të FSK-së, Gjeneral brigade Hysen Dreshaj, dhe Komandanti i Regjimentit të Dytë të Këmbësorisë, Nënkolonel Jaser Mulla. Gjeneral Dreshaj përgëzoi pjesëtarët e kontingjentit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, duke theksuar rolin e tyre të rëndësishëm në përfaqësimin e FSK-së dhe shtetit të Kosovës në këtë ushtrim prestigjioz.

Në kuadër të aktiviteteve zyrtare, Gjeneral Dreshaj mori pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Komandanti i Forcave Tokësore të Turqisë, Gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu, ku ishin të pranishëm përfaqësues të të gjitha shteteve pjesëmarrëse. Ai gjithashtu ndoqi nga afër Demonstrimin për Ditën e Vizitorëve të Shquar (DVD), ku u realizuan operacione të planifikuara nga shtetet pjesëmarrëse, duke përfshirë edhe kontributin e kontingjentit të FSK-së.

Pjesëmarrja e FSK-së në ushtrimin “Winter EX 2025” është një dëshmi e qartë e përkushtimit të tyre për të rritur kapacitetet dhe përvojën operacionale, si dhe për të bashkëpunuar me partnerët ndërkombëtarë në misione të ndryshme. Kjo shfaqje e shkëlqyer e FSK-së në një arenë ndërkombëtare tregon se ata janë një forcë e gatshme dhe e aftë për të kontribuar në paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.