Në përfaqësi diplomatike mund të votojnë vetëm shtetasit e regjistruar
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se shtetasit e Kosovës që nuk janë regjistruar si votues jashtë Kosovës për të votuar në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike, nuk do të mund të votojnë në këto përfaqësi më 8 shkurt 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se në Listën Votuese jashtë Kosovës janë vetëm emrat e shtetasve që janë regjistruar për të votuar në ndonjërën përfaqësi diplomatike gjatë periudhës së regjistrimit 29 gusht – 26 dhjetor 2024.
“Në përfaqësi diplomatike mund të votojnë vetëm shtetasit e Kosovës të cilët kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi në momentin kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës,” tha Elezi.
Sipas tij, në ditën e votimit më 8 shkurt, një votues i regjistruar për të votuar në përfaqësi diplomatike mund të identifikohet përmes dokumentit identifikuar të lëshuar nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, pasaportë ose patentë shoferi.
Numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar për të votuar në 30 përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës është 20,324 votues.