Arrijnë votat e para nga diaspora në Kosovë, shoqërohen nga policia drejt KQZ-së

04.02.2025

Disa orë më parë kanë mbërritur votat e para nga diaspora. Vetura zyrtare që transportojnë pakot e votimeve nga diaspora kanë kaluar pikën kufitare të Vermicës.

Lajmin e ka bërë të ditur RTK ku është raportuar se veturat që po transportojnë votat po shoqërohen nga Policia e Kosovës në drejtim të Prishtinës, përkatësisht selisë së KQZ-së, dhe do të jenë nën vëzhgim nga kamerat e sigurisë.

Ndryshe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se është duke vazhduar periudha e votimit përmes postës për të gjithë shtetasit e Kosovës që kur u regjistruan si votues jashtë Kosovës e përzgjodhën këtë mënyrë votimi. Ky lajm është bërë i ditur nga Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka thënë se procesi i votimit përmes postës do të përfundojë më 8 shkurt.