FSK zhvillon me sukses trajnim intensiv për GIZ, forcon bashkëpunimin rajonal

29.01.2025

Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka organizuar me sukses një trajnim intensiv në ndihmë të parë për stafin e “Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit” (GIZ), duke përfshirë pjesëmarrës nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Trajnimi u zhvillua në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim Shpëtim (QNTKSh) dhe kishte për qëllim rritjen e gatishmërisë së pjesëmarrësve për të vepruar në situata të emergjencës.

Gjatë pesë ditëve të trajnimit, pjesëmarrësit u njohën me teknikat më të fundit të shpëtimit dhe ndihmës së parë, duke i ushtruar ato në skenarë të ndryshme realistë. Trajnimi i fokusuar në praktikë i mundësoi pjesëmarrësve të forcojnë aftësitë e tyre profesionale dhe të fitojnë besim në reagimin e shpejtë dhe efektiv në situata kritike.

Bashkëpunimi me GIZ në organizimin e këtij trajnimi vlerësohet si një hap i rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe thekson angazhimin e të dy palëve për siguri, qëndrueshmëri dhe ndërtimin e kapaciteteve në rajon.