Kroacia paralajmëron qytetarët e saj: Shmangni udhëtimet në Serbi!
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka lëshuar një paralajmërim urgjent për të gjithë qytetarët kroatë, duke i këshilluar të shtyjnë të gjitha udhëtimet jo thelbësore në Serbi.
Kjo masë është marrë pas një numri të rritur incidentesh ku shtetas kroatë janë trajtuar në mënyrë të papërshtatshme dhe të pabazuar nga autoritetet serbe.
“Duke pasur parasysh veprimet e papërshtatshme dhe të pabaza të autoriteteve të Republikës së Serbisë ndaj qytetarëve kroatë, rekomandohet të shtyhen të gjitha udhëtimet që nuk janë të nevojshme”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Qytetarët kroatë që gjenden tashmë në Serbi këshillohen të jenë të kujdesshëm, të monitorojnë vazhdimisht situatën dhe të shmangin vendet ku mblidhen një numër i madh njerëzish. Në rast nevoje, ata mund të kërkojnë ndihmë nga Ambasada e Kroacisë në Serbi.