Kroaci, 660 euro gjobë për kosovarin, voziti 224 km/h në zonën 130

10.01.2025

Një shtetas kosovar 42-vjeç është ndaluar në autostradën A3, në afërsi të Boshnjakut, nga zyrtarët e policisë rrugore kroate.

Shoferi i një automjeti “Mercedes” me targa gjermane është kapur duke vozitur me shpejtësinë marramendëse prej 224 kilometra në orë, në një segment rrugor ku limiti i shpejtësisë ishte i vendosur në 130 kilometra në orë.

Kjo shkelje e rëndë e rregullave të trafikut rrugor ka pasur pasoja të drejtpërdrejta për shoferin kosovar. Ai është gjobitur me 660 euro, ndërsa i është hequr e drejta e përdorimit të patentës shoferit të huaj në territorin e Kroacisë për një periudhë prej një muaji. Përveç kësaj, shoferi ka fituar edhe tre pikë penaliteti.

Policia e rajonit Vukovar-Srijem ka konfirmuar këtë rast dhe ka bërë thirrje për respektim të rregullave të trafikut rrugor. Shpejtësia e tepruar është një nga shkaktarët kryesorë të aksidenteve rrugore me pasoja fatale dhe lëndime të rënda.