Ministri Çeku ironizon Abdixhikun: “Nuk na duhet AI për projekte reale!”

08.01.2025

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka reaguar ndaj përdorimit të inteligjencës artificiale (AI) për vizualizimin e projekteve të ardhshme, duke e cilësuar këtë gjest si një tentativë për të maskuar mungesën e veprimeve konkrete.

Në një postim në rrjetet sociale, Çeku ka theksuar se Ministria e Kulturës është e angazhuar në realizimin e projekteve të mëdha dhe të rëndësishme në fushën e kulturës, sportit dhe trashëgimisë kulturore. “Në vend që të vizualizojmë projekte me AI, ne po punojmë shumë për t’i bërë ato realitet”, ka shkruar Çeku.

Kritikat e ministrit janë drejtuar drejt kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili kohët e fundit ka prezantuar vizualizime të projekteve të ardhshme të realizuara me anë të inteligjencës artificiale. Çeku ka ironizuar këtë veprim, duke theksuar se Ministria e Kulturës nuk ka nevojë për AI për të paraqitur projekte të suksesshme, pasi që ato janë tashmë në fazën e implementimit.

“Ne kemi gjetur sektorët e kulturës, sportit dhe trashëgimisë në një gjendje të mjerueshme, të lënë pas dore dhe të degraduara. Por, me punë të palodhur, po i kthejmë ato në një pasuri të vërtetë për vendin tonë”, ka shtuar ministri Çeku.

https://www.facebook.com/ceku.hajrulla/posts/1097622378825789