KQZ shpjegon pse numri i votuesve është i lartë se ai i banorëve rezidentë

05.01.2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të Kosovës, që do të mbahen më 9 shkurt 2025, janë regjistruar mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote.

Sipas të dhënave të publikuara nga KQZ, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 2.075.868. Nga ky numër, 1.970.944 votues do të ushtrojnë të drejtën e tyre të votimit në vendvotime brenda Kosovës, ndërsa 104.924 votues janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.

Duke pasur parasysh se numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve të regjistruar në Kosovë, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka sqaruar se kjo ndryshim shpjegohet me faktin se në listën e votuesve përfshihen të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote, pavarësisht se ku jetojnë.

“Në regjistrimin e popullsisë përfshihen vetëm banorët rezidentë të pranishëm në Kosovë në kohën e regjistrimit, ndërsa në Listën Votuese përfshihen të gjithë shtetasit e Kosovës me të drejtë vote, qoftë brenda apo jashtë vendit”, ka theksuar Elezi.