KQZ certifikon Listën Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025

31.12.2024

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot listën e kandidatëve për deputetë nga Lista Serbe, pas refuzimit të ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) nga Gjykata e Apelit.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se certifikimi i Listës Serbe erdhi si pasojë e vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ishte apeluar nga LVV-ja. Megjithatë, Gjykata e Apelit hodhi poshtë këtë ankesë, duke konfirmuar detyrimin e KQZ-së për të certifikuar kandidatët e Listës Serbe.

“Sipas vendimit të PZAP-it dhe refuzimit të ankesës nga Gjykata e Apelit, lista e kandidatëve të Listës Serbe është certifikuar,” tha Radoniqi. Ai shtoi se vendimet e PZAP-it janë të detyrueshme për KQZ-në.

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kundërshtoi vendimin, duke theksuar se Lista Serbe nuk duhet të certifikohet për shkak të sjelljeve dhe qëndrimeve të saj të mëparshme.

“Ky subjekt politik ka shpallur ditë zie për tre terroristët e vrarë në Banjskë dhe ka penguar hapjen e shkollave për zgjedhje në vitin 2021. Ka shumë elemente që tregojnë se ky subjekt politik nuk e meriton të certifikohet,” u shpreh Kurteshi.

Në vijim të procedurave, Kolegji i Gjykatës Supreme hodhi poshtë si të palejuar ankesën e LVV-së lidhur me vendimin e PZAP-it. Ky vendim u bë i ditur nga zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka Lutfiu.

“Kolegji i Gjykatës Supreme ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e LVV-së kundër vendimit të PZAP-it për certifikimin e Listës Serbe,” tha Uka Lutfiu.