Gjykata Supreme rrëzon ankesën e LVV-së, KQZ duhet të certifikojë Listën Serbe

31.12.2024

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë një aktvendim me të cilin hodhi poshtë si të palejuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Kështu i ka hapur rrugë certifikimit të subjektit politik Lista Serbe dhe kandidatëve të saj për zgjedhjet parlamentare.

Në aktvendimin e Gjykatës Supreme theksohet se vendimi i PZAP-së mbetet në fuqi dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) urdhërohet të certifikojë Listën Serbe dhe kandidatët e saj për pjesëmarrje në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë planifikuar të mbahen më 9 shkurt 2025.

Ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje ishte paraqitur kundër vendimit të PZAP-së, duke vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e certifikimit të Listës Serbe. Megjithatë, Gjykata Supreme ka konstatuar se ankesa ishte e palejueshme dhe nuk kishte bazë ligjore për të ndërhyrë në procesin e certifikimit.