Shtyrja e afatit për regjistrimin e mërgatës, opozita e “bojkoton” mbledhjen e KQZ-së
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka mundur të mbajë mbledhjen e planifikuar sot për shkak të mungesës së kuorumit.
Kjo është konfirmuar nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, i cili ka thënë se vetëm ai dhe dy anëtarë të tjerë nga Lëvizja Vetëvendosje ishin të pranishëm.
Në rend të ditës të kësaj mbledhjeje ishte edhe shqyrtimi i një propozimi për shtyrjen e afatit për regjistrimin e votuesve nga diaspora. Sipas anëtarit të KQZ-së nga VV-ja, Alban Krasniqi, mungesa e anëtarëve të partive të tjera, si PDK, LDK dhe AAK, lidhet pikërisht me këtë çështje.
“Ata edhe më herët kanë shfaqur kundërshtitë e tyre për çfarëdo shtyrje të afateve nga KQZ-ja për pjesëmarrjen e mërgatës në procesin zgjedhor”, ka thënë Krasniqi.
Radoniqi ka theksuar se mos prezenca e anëtarëve të tjerë nuk lidhet me vendimin e fundit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e vendimit të moscertifikimit të Listës Serbe.
“3 anëtarët kanë njoftuar që nuk do të marrin pjesë në takim për shkak të disa obligimeve, kurse të tjerët kanë deklaruar se nuk e kanë marrë ftesën. Kjo mbledhje nuk lidhet me vendimin e PZAP”, ka thënë Radoniqi.