Vendoset gurthemeli i çerdhes së re në Bellanicë
Sot, në fshatin Bellanicë të Malishevës, u vendos gurthemeli i çerdhes së re.
Në ceremoninë e organizuar morën pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, zëvendësministri Arsim Ademi, deputetë dhe përfaqësues të institucioneve tjera.
Çerdhja e re do të përfshijë dy kate me një sipërfaqe të përgjithshme prej 886 metra katrorë dhe do të akomodojë deri në 80 fëmijë.
- Kati përdhesë do të ketë:
- Hyrjen kryesore dhe hapësirën e gardërobës për fëmijët
- Klasat e fëmijëve, kuzhinën dhe tryezarinë
- Nyjet sanitare për fëmijët dhe personelin
- Dhomën e takimeve, lavanderinë dhe kthinat teknike të ngrohjes
- Kati i parë do të përfshijë:
- Klasat për fëmijë, dhomën e qumështit dhe zyren e drejtorit
- Infermierinë dhe nyjet sanitare
Në fjalën e tij, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e investimeve në arsim, duke e cilësuar atë si investimin më të rëndësishëm për të ardhmen e vendit.
“Ashtu siç investojmë në arsim, ashtu do ta kemi të ardhmen tonë,” tha Kurti, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për të mbështetur projekte që përmirësojnë kushtet për edukimin e hershëm dhe zhvillimin e të rinjve.
Gjatë ceremonisë, Kurti renditi disa nga projektet që po realizohen në Komunën e Malishevës, duke përfshirë:
Ndërtimi i shkollës fillore dhe të mesme të ulët “Emin Duraku” në Dragobin, me vlerë prej 1,176,000 euro.
Adaptimi i një shkolle në çerdhe në Dragobin, me vlerë prej 400 mijë euro.
Adaptimi dhe renovimi i shkollave në çerdhe në Banjë, me investime prej rreth 280 mijë euro në fazën e parë dhe 130 mijë euro në fazën e dytë.
Renovimet në nyjet sanitare dhe krijimi i qasjeve për persona me aftësi të kufizuar, përfshirë projektin në shkollën “Lasgush Poradeci” në Kievë.
Në total, qeveria e Kosovës ka ndarë një buxhet prej 3 milionë eurosh për projekte arsimore në Komunën e Malishevës gjatë këtij mandati.