Vendoset gurthemeli i objektit “Eko-Theranda” – Investim me vlerë prej 468 mijë euro
Sot në Suharekë është vënë gurthemeli i objektit të ri i Ndërmarrjes Publike Lokale (NPL) “Eko-Theranda” një projekt me rëndësi të veçantë për përmirësimin e shërbimeve komunale dhe menaxhimin e mjedisit.
Foto: Ilustrim
Në ceremoninë zyrtare morën pjesë Kryetari i Komunës së Suharekës, i shoqëruar nga Drejtori i Shërbimeve Publike, Enver Shabani, shkruan SuharekaOnline.
Ky investim kap vlerën totale prej 468 mijë euro, nga të cilat 400 mijë euro janë siguruar përmes fondeve nga performanca komunale, ndërsa 68 mijë euro janë kontribut direkt i Komunës së Suharekës.

Objekti i ri “Eko Theranda” do të ketë një rol të rëndësishëm në ofrimin e shërbimeve esenciale për qytetarët, përfshirë: Mbledhjen dhe menaxhimin e mbeturinave, Mirëmbajtjen e hapësirave gjelbëruese dhe Mirëmbajtja e rrugëve.
Në fjalën e tij, Kryetari i Komunës theksoi rëndësinë e këtij investimi për ngritjen e cilësisë së jetës në qytet, si dhe për ndërtimin e një infrastrukture moderne që i përgjigjet nevojave të qytetarëve pa dallim.
Me përfundimin e objektit “Eko Theranda”, Komuna e Suharekës synon të krijojë standarde të reja në menaxhimin e shërbimeve publike, duke sjellë efikasitet dhe transparencë në ofrimin e tyre. Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të qëndrueshëm urban dhe mbrojtjes së mjedisit në nivel lokal.