Suharekë, vendoset gurthemeli për objektin e ri të zjarrëfikësve në Zonën Industriale

18.08.2025

Zjarrëfikësit e Suharekës do të pajisen me një objekt të ri dhe modern, i cili do të ndërtohet me bashkëfinancim të Komunës së Suharekës dhe Shoqatës humanitare “Jetimat e Ballkanit”.

Ceremonia e vendosjes së gurthemelit u mbajt sot në orën 10:00, në zonën industriale në Shirokë, ku morën pjesë kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, drejtuesi i shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, Halil Kastrati, si dhe pjesëtarë të njësisë së zjarrfikësve dhe anëtarë të pushtetit lokal.

Kryetari Muharremaj tha se ky projekt vjen pas një pritjeje të gjatë për mbështetje nga institucionet qendrore, e cila nuk ka ndodhur, ndërkohë që nevoja për kushte të përshtatshme për zjarrëfikësit ka qenë e kahershme. Ai theksoi se falë donatorëve dhe humanistëve, gjatë viteve të fundit njësia e zjarrëfikësve është pajisur me automjete moderne, ndërsa tashmë do të ketë edhe një objekt të ri pune me kushtet e nevojshme.

Ky investim synon të përmirësojë dukshëm kushtet e punës së zjarrëfikësve, të cilët shpesh përballen me situata emergjente dhe rreziqe të larta, duke forcuar edhe më tej sigurinë dhe shërbimet ndaj qytetarëve të Suharekës.