KQZ bën thirrje për rritje të pjesëmarrjes në zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë një thirrje të hapur për të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Në një deklaratë publike, KQZ-ja ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në procesin zgjedhor, duke e cilësuar atë si një hap kyç për të ardhmen e vendit.
KQZ-ja ka veçuar grupmoshat 26-40 vjeç dhe 65-99 vjeç, të cilat historikisht kanë pasur pjesëmarrje më të ulët në zgjedhje. “Vota juaj mund të ndikojë të ardhmen e Kosovës! Grupmoshat 26-40 vjeç dhe 65-99 vjeç kanë shënuar përqindjen më të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje në Kosovë. Por vota juaj ka fuqinë të ndikojë në të ardhmen e Kosovës!”, thuhet në thirrjen e KQZ-së.
Institucioni zgjedhor ka bërë apel që qytetarët të mos e humbin këtë mundësi për të shprehur vullnetin e tyre demokratik. “Është koha ta bëni zërin tuaj të dëgjohet! Kosova ka nevojë për ju. Le të angazhohemi dhe të rrisim pjesëmarrjen në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025”, thuhet më tej në deklaratën e tyre.
Zgjedhjet parlamentare janë një moment vendimtar për përcaktimin e drejtimit politik dhe zhvillimor të Kosovës. KQZ-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të respektojnë procesin demokratik dhe të kontribuojnë në një atmosferë të qetë dhe të drejtë gjatë zgjedhjeve.
Me këtë apel, KQZ-ja synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e votimit, duke shpresuar për një pjesëmarrje rekord në zgjedhjet e ardhshme.