Arrestohen dy sllovakë dhe një kosovar, përpunonin dhe përgatisnin narkotikë
Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar se tre persona janë ndaluar për 48 orë me dyshimin se kanë kryer veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge dhe veglave, pajisjeve dhe materialeve narkotike”.
Dy nga të ndaluarit janë shtetas të Sllovakisë, ndërsa i treti është shtetas i Kosovës me vendbanim në Ferizaj. Ata dyshohen se kanë ndërtuar një laborator në fshatin Sllakoc i Epërm, Komuna e Gjilanit, ku besohet se kanë përpunuar dhe përgatitur substanca narkotike.
Prokuroria bëri të ditur se veprimet e tyre bien ndesh me nenin 268 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). “Të njëjtit janë ndaluar për shkak të dyshimit se në një laborator të cilin e kanë ndërtuar kanë bërë përpunimin dhe përgatitjen e substancave narkotike”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.