Bilanci ditor i Prokurorisë së Prizrenit: Një i arrestuar, dy kërkesa për paraburgim dhe një për arrest shtëpiak

19.12.2024

Prokuroria Themelore në Prizren ka intensifikuar veprimtaritë e saj në luftën kundër kriminalitetit.

Gjatë 24 orëve të fundit, me urdhër të prokurorit, janë ndërmarrë një sërë masash, duke përfshirë arrestime dhe kërkesa për caktim të masave të sigurimit.

Një person është arrestuar për 48 orë nga ana e Prokurorisë Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm. I dyshuari akuzohet për kryerje të veprave penale “Lëndimi i lehtë trupor”, “Dhuna në familje” dhe “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge”.

Paralelë me arrestimin, Prokuroria ka parashtruar një kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj dy personave të tjerë, të dyshuar për kryerje të veprës penale “Kanosja”.

Gjithashtu, është parashtruar edhe një kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj një personi tjetër, i cili akuzohet për veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosja”.