Ambasada e SHBA-së bashkë me Policinë dhe IPK-në shënojnë ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore
Në kuadër të fushatës globale 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Baza Gjinore, Attaché i Departamentit të Drejtësisë të SHBA-së (DOJ-ICITAP) dhe stafi i tij, së bashku me Inspektoratin Policor dhe Policinë e Kosovës, organizuan një seri aktivitetesh ndërgjegjësuese në katër komuna: Fushë Kosovë, Gjilan, Prishtinë dhe Mamushë.
Eventet, të cilat u ndoqën nga mbi 180 të rinj dhe anëtarë të komuniteteve pakicë, kishin për qëllim të edukonin dhe inkurajonin veprim aktiv për të adresuar dhunën me baza gjinore. Diskutimet u fokusuan në rolin e policisë dhe inspektoratit policor, rëndësinë e raportimit të dhunës, si dhe promovimin e ndryshimeve pozitive në shoqëri.
Një moment i veçantë dhe domethënës i këtyre aktiviteteve ishte kur një student pjesëmarrës vendosi të raportonte një krim në prani të stafit policor dhe këshilltarit shkollor. Kjo ndërhyrje e menjëhershme çoi në një përgjigje të shpejtë dhe efikase nga autoritetet, duke theksuar rëndësinë e raportimit të dhunës.
Mesazhi kryesor i kësaj fushate mbetet: #Raporto atë që sheh, dëgjon dhe di. Ndal dhunën. Këto angazhime janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të promovuar sigurinë, barazinë dhe drejtësinë në të gjitha komunitetet e Kosovës.
Fushata 16 Ditët e Aktivizmit është një thirrje për veprim që bashkon organizata dhe individë nga e gjithë bota për të ndërgjegjësuar dhe për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.