Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, kusht për integrimin e Kosovës në BE

23.11.2024

Ambasadori francez në Kosovë, Oliver Guerot, ka riafirmuar që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është një kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian për përparimin e Kosovës drejt integrimit në BE.

Në një intervistë për Klan Kosova, Guerot ka theksuar se marrëveshja e arritur në shkurt të vitit 2023 midis Kosovës dhe Serbisë është një “pikë kthese” në marrëdhëniet e dy vendeve dhe se zbatimi i saj është i detyrueshëm për të dyja palët.

“BE-ja konsideron se të dyja vendet janë zotuar për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, dhe ne konsiderojmë se është detyruese, andaj kjo merret parasysh edhe në marrëdhëniet e BE-së me Kosovën edhe me Serbinë”, ka thënë Guerot.

Draft-statuti i Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese

Diplomati francez ka theksuar rëndësinë e dërgimit të draft-statutit të propozuar nga BE-ja për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Edhe pse është i vetëdijshem për shqetësimet e ngritura rreth kësaj çështje, Guerot beson se ky është një hap i domosdoshëm për të avancuar procesin.

“Ne e kemi thënë shumë herë se duam që Kosova të jetë shtet plotësisht funksional. Kemi qenë instrumental më 1998, 1999 dhe 2000, donim që edhe Kosova të jetë funksionale”, ka shtuar ai.

Sipas Guerot, vendimi për të propozuar një draft-statut për Asociacion është marrë pasi asnjëra prej palëve nuk po paraqiste një propozim konkret.

Asociacioni, një kusht për BE

Ambasadori francez ka qenë i qartë se themelimi i Asociacionit nuk është vetëm një kërkesë e Serbisë, por edhe një kusht i vendosur nga Bashkimi Evropian për përparimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian.

“Asociacioni, tha ai, ‘do të jetë kusht’ edhe për BE, e jo vetëm për KiE”.