Besim i lartë në FSK dhe dëshirë për anëtarësim në BE nga të rinjët e Kosovës

19.11.2024

Fondacioni Friedrich Ebert (FES) në Prishtinë ka prezantuar sot Studimin e Rinisë 2024 ku respodentët kanë qenë të grupmoshave 14 vjeç deri në 29 vjeç.

Një studim i ri i kryer nga Fondacioni Friedrich Ebert (FES) ka zbuluar se të rinjtë kosovarë, të moshës 14 deri në 29 vjeç, kanë një besim të lartë në institucionet e sigurisë, por shprehin shqetësime për disa institucione të tjera.

Sipas studimit të Rinisë 2024, i cili u prezantua sot në Prishtinë, Forcat e Sigurisë së Kosovës gëzojnë besimin më të madh të të rinjve, me 81% të tyre që shprehin besim në këtë institucion. Pasuar nga Policia me 74% dhe Bashkësitë Fetare me 72%.

Megjithatë, besimi në institucione të tjera si Qeveria, media, Parlamenti, shoqëria civile dhe partitë politike është dukshëm më i ulët, duke lëvizur nga 30% për Qeverinë deri në 9% për shoqërinë civile dhe partitë politike.

Sa i përket institucioneve ndërkombëtare, NATO-s i besojnë 54% e të rinjve, ndërsa Bashkimit Evropian 28%.

Një tjetër gjetje e rëndësishme e studimit është dëshira e fortë e të rinjve për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian. Pavarësisht moshës, shumica dërrmuese e të anketuarve janë shprehur pro anëtarësimit në BE.

Në të gjitha grupmoshat, nga 14 deri në 29 vjeç, përqindja e të rinjve që mbështesin anëtarësimin në BE tejkalon 80%. Kjo tregon se integrimi evropian është një prioritet i qartë për gjeneratat e reja në Kosovë.

Studimi gjithashtu ka zbuluar një rritje të pjesëmarrjes së të rinjve në sferat politike dhe sociale, forcimin e besimit institucional për të përmirësuar angazhimin demokratik, adresimin e pabarazive gjinore në punësim dhe arsim.